Ka mjaftuar një shi i rrëmbyeshëm gjatë paradites së të hënës, në mënyrë që një rrugë publike në kryeqytetin kosovar, e pa përuruar ende të pësojë dëmtime të mëdha.

Bëhet fjalë për projektin infrastrukturor, përkatësisht rrugën “Ekrem Rexha” në lagjen Arbëria, e cila Komunës së Prishtinës i ka kushtuar 772 mijë euro.

Bashkë me çarjet e asfaltit të ri, në këtë zonë rreshqiti edhe një pjesë e dheut pikërisht në hapësirën ku po bëhen ndërtime të objekteve banesore.

I menjëhershëm ishte reagimi i forcave të rendit. Policia vendosi shiritat e sigurisë për të parandaluar qarkullimin dhe lëvizjen e banorëve të zonës.

Në vendin e ngjarjeve doli edhe prokurorja kujdestare Fitore Sadikaj, e cila u njoftua për situatën nga kryeinspektori i ndërtimit në Komunën e Prishtinës, Ismet Haliti.

Ky i fundit nuk pranoi të flasë për gazetarët ndërsa nëpërmjet një njoftimi për shtyp Komuna e Prishtinës fajëson kompaninë ndërtuese e cila ka hapur një gropë, siç thuhet pa lejen e Komunës.

Komuna paralajmëroi se do t’i bëjë padi kompanisë  në gjykatë për mos respektimin e ligjeve dhe planeve rregulluese të lagjes.  

Kryeinspektori i komunës, Ismet Haliti, ndërkaq urdhëroi  kompaninë ndërtuese që të ndërpresë punimet dhe ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme.

Në vendin e ngjarjes ishte prezent edhe pronari i kompanisë ndërtuese në këtë zonë. Ndonëse nuk flet para kameras ai fajëson komunën për cilësinë e dobët të ndërtimit madje siç thotë, në kundështim me planin rregullues, duke iu referuar kështu çarjes së mënjëhershme të asfaltit të kësaj rruge.

Sidoqoftë me urdhër të prokurores kujdestare pronari i kompanisë ndërtuese dhe kryeinspektori i ndërtimit në Komunën e Prishtinës, Ismet Haliti janë shoqëruar në polici për deklaratë rreth rastit.

Top Channel