SHBA, ndryshime në NSA

30/09/2013 00:00

Senatorët amerikanë të dy partive propozuan ndryshime për mënyrën e mbledhjes së informacionit për të identifikuar terroristët dhe kërcënime të tjera nga Agjensia e Sigurisë Kombëtare (NSA).

Disa prej ligjvënësve dëshirojnë të kufizojnë ose të ndërpresin grumbullimin masiv të tabulateve të bisedave telefonike apo postës elektronike.

Anëtarët e Komisionit të Zbulimit në Senat po punojnë për një ligj i cili do të kufizonte ose eleminonte këto praktika. Senatori demokrat Ron Uajden sygjeron t’i jepet fund mbledhjes masive të të dhenave nga telefonatat apo email-et. Por, drejtori i NSA-së, Gjenerali Keith Aleksandër, në një seminar për sigurinë kibernetike në Uashington, tha se sulmi i fundit në qendrën tregtare në Nairobi të Kenias tregon nevojën për të vazhduar aktivitetet e NSA-së.

“Nëse mendoni se situata është keq tani, imagjinoni se si mund të ndryshojnë gjërat nëse na ndodhin tragjedi si ajo e Nairobit në këtë vend dhe ne do të dështonim”.  

Sipas tij, shumë amerikanë janë keqinformuar nga raportet e pasakta në media sepse NSA-ja nuk po mbledh përmbajtjen e bisedave telefonike apo e-mail-eve.

Prej kohës kur Eduard Snouden rrëfeu publikisht se Agjensia e Sigurisë Kombëtare po mbledh të dhëna nga bisedat telefonike apo email-et e amerikanëve apo të huajve, janë shtuar debatet në vend dhe jashtë tij.

Presidentja braziliane Dilma Rousseff anuloi një vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë për shkak të kësaj çështjeje. Ajo kritikoi Shtetet e Bashkuara gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB