Rritja e frikshme e borxhit

30/09/2013 00:00

Rritja e borxhit në nivele të paqëndrueshme ka ndezur debatin se si mund të administrohet kjo situatë.

Ekspertët janë në një zë kur thonë se hapi i parë është ai i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit, që do ndihmonte ekonominë, por ndahen mbi atë se cila duhet të jetë rruga e vënies nën kontroll të financave publike.

“Ky sistem tatimor nuk e mbështet qëndrueshmërinë financiare të vendit”, argumentoi ish-ministri i Financave, Arben Malaj. “Kjo strukturë nuk e garanton stabilitetin financiar afatgkatë ndaj duhet riparë. Situata e paralajmërtuiar nga FMN nuk duhet të krijojë panik, por të rrisë përgjegjësinë si në vendet e tjera, ku kur shihet që ekonomia shkon keq zbatohen reforma në ekonomi dhe financa”.

Por, Sybi Hida ish deputet i së djathtës mendon se rritja e barrës do të kishte efekte negative mbi ekonomi dhe stabilitetin e financave publike.

“Mendoj se në këto momente, ky është mendimi im, nuk do të ishte e arsyeshme një ndërhyrje me taksa të larta për biznesin, që mund të dëmtojë bilancet e biznesit”, tha Hida.

Sulo Haderi, dekan i fakulteti ekonomik mbështet një paketë të kombinuar që vë nën kontroll shpenzimet dhe rishikon taksat, por thekson se këto duhen shoqëruar me një tjetër element të domosdoshëm atë të reformave që përmirësojnë klimën e biznesit.

“Reformat strukturore dhe lehtësimi i kostove të biznesit, si ato të lidhura me shërbimet siç është furnizimi me energji, qoftë reduktimi i kostove të pronësisë duhet të zbatohen për të inkurajuar rritjen”, tha Haderi.

“Heqja e barriera në ekonomi, lehtësimi i biznesit, heqja e kostove shtesë që paguante për keqadministrim e korrupsionit, skema për biznesin e vogël e të mesmin janë të domosdoshme, që të mbështesim rritjen ekonomike dhe të kemi më shumë stabilitet për vendin”, theksoi Malaj.

Financat publike të vendit nisën të jepnin shenjat e para të përkeqësimit në vitin 2008, kur qeveria e demokratëve nisi të rrisë shpenzimet e financuar me rritje borxhi.

E kombinuar me ngadalësimin e rritjes ekonomike politika e deficiteve të larta e rriti borxhin publik nga 53.7 për qind në vitin 2007 në 70 për qind këtë vit sipas FMN, një nivel i konsideruar si i rrezikshëm për ekonominë shqiptare.

Top Channel