Kriza e re italiane

30/09/2013 00:00

Kriza politike italiane duket se nuk po e kapërcen provën e tregjeve
financiare. Bursat kryesore shënojnë rënie, gjë që dëshmon një humbje të
besimit tek Italia, e cila është praktikisht në prag të rënies së
qeverisë së kryesuar nga Enrico Letta.

Ekzekutivi, i krijuar pesë muaj më parë mbi një marrëveshje me bazë të gjerë mes dy koalicioneve kundërshtare, pësoi humbjen e pesë ministrave të partisë së Silvio Berlusconi-t. Ata dhanë doreheqjen duke iu bindur thirrjes së bërë nga lideri i tyre.

Mbrëmjen e së dielës, Kryeministri u konsultua me presidentin e Republikës Giorgio Napolitano. Përballë një krize të tillë, në kushtet e një pasigurie të qartë politike, kreu i Qeverisë dhe ai i shtetit vendosën që të kërkohet votëbesimin në Parlament. Votimi nis ditën e mërkurë dhe jo të martën, për t’i dhënë kohë deputetëve të partisë së Berluscon-it që të vendosin. Në fakt në gjirin e kësaj partie po ndihet një krisje, sepse jo të gjithë janë dakort t’i binden verbërisht liderit. Disa parlamentarë të djathtë kanë shprehur lëkundjet e tyre dhe dyshimin nëse është i drejtë një qëndrim i tillë ekstremist.

Por është ende shpejt për të kuptuar nëse këto polemika të brendshme do të shndërrohen në vota pro për qeverinë e Enrico Letta-s kur të vijë çasti për të dhënë votëbesimin.

Top Channel