
Kriza politike në Itali, ku një nga opsionet është ai i zgjedhjeve të reja mund të zvarrisë ndërtimin e gazsjellësit “Trans-Adriatik”.
Një javë më parë, Senati Italian shtyu votimin e parashikuar për marrëveshjen trepalëshe të gazsjellësit Shqipëri-Itali-Greqi, me argumentin zyrtar se disa nga senatorët kanë kërkuar informacione shtesë mbi zhvillimet e fundit në projekt.
Por, tashmë që fqinji ynë perëndimor ka hyrë sërish në krizë qeverisëse votimi i marrëveshjes rrezikon të mbetet pezull për një afat të pacaktuar.
Ratifikimi i marrëveshjejs trepalëshe nga Kuvendet e të tre vendeve respektive është një kusht i detyrueshëm para se konsorciumi i Shah Denizit të marrë vendimin përfundimtar të investimit që do i hapte rrugë ndërtimit të gazsjellësit.
Roma zyrtare ka qenë një mbështetëse e fortë e gazsjellësit “TAP”, e madje ka lobuar për të.
Por, kohët e fundit situata duket se ka ndryshuar. Në Puglia, që është dhe rajoni ku do përfundojë gazsjellësi, një sërë organizatash të shoqërisë civile dhe drejtues lokal kanë dalë haptazi kundër projektit dhe po kërkojnë anulimin e tij për shkak të impakteve mjedisore.
Qëndrime këto, të cilat nuk kanë lënë indiferente disa nga forcat politike si ajo e së majtës ekoologjike dhe lirisë.
Por, më shumë se impaktet mjedisore, hezitimi në Romë i ratifikimit të marrëveshjes, për disa ekspertë është një betejë diplomatike që synon të maksimizojë përfitimet ekonomike të Italisë nga projekti.
Në më shumë se një rast gjigandi italian i energjetikës “Enel” ka shprehur haptazi interesin për të qënë aksioner i “TAP” deri në 20 për qind.
Por, ky interes, të paktën deri tani nuk është finalizuar çka duket se ka krijuar hezitim në itali.
Dhe pikërisht çështjet që lidhen me përbërjën e aksionerëve ishin një nga arsyet kryesore se pse Senati Italian, nën propozimin e deputetëve të “Lega Nord” vendosi shtyrjen e votimit.
Top Channel