Për 3 ditë me radhë në pazarin karakteristik të Gjirokastrës është zhvilluar Panairi i Trashëgimisë dhe Artizanatit, organizuar nga fondacioni Gjirokastra.
Panairi në këtë edicion të 7 të tij mblodhi rreth 150 artizanë nga Shkodra, Kukësi, Porgradeci, Saranda, Erseka, Gjirokastra, por edhe nga Mitrovica e Prizreni.
Për 3 ditë ata paraqiten punimet e tyre tradicionale në gur, dru, qëndisma, prodhime në kashtë, mozaikë e të tjerë.
“Kam gjashtë vjet që vij në këtë panair në Gjirokastër. Përfaqësohem me 13 lloje teknikash dhe këtu priten shumë mirë dhe kam treg. Është një kënaqësi për mua që merrem me këtë art”, thotë një artizan i drurit.
Muhedin Makri i jep gurit jetë. Që prej 26 vitesh ai ushtron zanatin e gurgdhendësit si të vetmin mjet jetese.
“Profesionin e gurëgdhënësit kam 25 vjet që e ushtroj, kryesisht zbukurime për shtëpitë karakteristike të Gjirokastrës. Tërhiqen më shumë punët që kanë të bëjnë me Gjirokastrën”, thotë Muhedini.
Ndërsa Drejtori i Drejtorisë Arsimore të Gjirokastrës, Arian Pano, krahas dashurisë për dijen nuk lë pas edhe pasionin për të bukurën përmes artizanatit. Në kohën e tij të lirë i dedikohet pasionit për të bërë makete në miniature të objekteve të këtij qyteti.
“Nuk i bëj veprat e mia për të shitur, por i bëj sepse dua që dhe fëmijët që janë sot të edukohen duke promovuar vlerat e tyre, vlerat e Gjirokastrës, duke bërë gjithcka gjithësecili për veten e tij dhe për qytetin do të thotë që t’i shtohen vlerat Gjirokastrës dhe gjithë vendeve ku banojnë shqiptarë. Ky panair i jep vlera Gjirokastrës për cdo vit dhe do t’i shtojë më shumë klientët e saj dhe ata që duan të shfaqin produktet e tyre dhe ky panair të bëhet sa më i larmishëm dhe sa më i mirë për vitet e tjera”, thotë zoti Pano.
Por krahas Panairit të Artizanatit, një vend i veçantë iu kushtua edhe atij të kulinarisë, ku për të gjithë të pranishmit amvisa Elida Zhulati prezantoi gatimet tradicionale të mikpritësve gjirokastritë.
“Ajo që është e vecantë për Gjirokastrën është bukëvalja. Është ëmbëlsirë që nuk bëhet aq shpesh sa mund të bësh bakllavanë. Kjo bëhet akoma më rrallë, për evente më të vecanta. Baza e ushqimit në Gjirokastër është drithi, mishi dhe bulmeti”, thotë amvisa Elida Zhulati.
Përmasa të reja i dha Panairit këtë vit mbështetja a Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave.
Erisa Çela, përfaqësuesja e kësaj organziate thotë se rreth 50 gra artizane falë kësaj ndihmese mundën të paraqisnin punimet e tyre në këtë panair.
“Është një përvojë e parë, të paktën për agjencinë por edhe Ministrinë. Shpresojmë që kjo të kthehet në një traditë në mënyrë që vit pas viti të ndihmojmë gratë sipërmarrëse të artizanatit të marrin praktika më të mira, të punojnë përmes rrjeteve dhe të jenë sa më pranë tregut me produktet e tyre. Dizenjues të posaçëm do t’i shoqërojnë në një periudhë 3-mujore që ato të sofistikojnë më tepër produktin e tyre për të mpleksur traditën e vjetër me modernen, për të bërë një produkt që është më i denjë për të kaluar tregun matanë kufirit”, thotë përfaqësuesja e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave.
Në fund të këtij evenimenti juria ndau edhe tre çmimet kryesore për artizanët më të talentuara: Margarita Laçkaj nga Pogradeci, Florinda Vuca nga Kukësi dhe Artenca Kruja nga Shkodra të cilat do të mbështeten në krijimtarinë e tyre nga organizata duke marrë trajnimin e duhur.
Panairi do të udhëtojë drejt kryeqytetit në periudhën e Krishtlindjeve për të sjellë të tjera punime artizane pranë artdashësve.
Top Channel