Në Ditën Botërore të Përkthimit, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro vizitoi nxënësit e degës së përkthimit në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja, “Asim Vokshi”.
“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që përkthyesi është një ndër shtyllat e qytetërimit sepse përkthim do të thotë komunikim, dhe komunikim do të thotë shoqëri njerëzore. Është besoj, përkthimi akti i parë i qytetërimit”, tha Ministrja e Kultutës.
E pyetur nga nxënësit e kësaj shkolle në cilësinë e një përkthyeseje në profesion, zonja Kumbaro shprehet.
“Ka disa gjëra të mira, kemi një shtim shumë të madh të numrit të përkthimeve, kemi një shtim shumë të madh të numrit botimeve me përkthyes, kemi një numër shumë të madh përkthyesish. Tani problemi është tek cilësia. A janë të gjithë ata që thonë se janë përkthyes, a janë realisht përkthyes? Unë këtu kam një dyshim goxha të fortë”, u shpreh zonja Kumbaro.
Sipas Ministres së Kulturës hendeku qëndron pikërisht në mungesën e kritikës së përkthimit në gjuhën shqipe, një problem që sipas saj është më i hershëm se vetë krijimi i shtetit shqiptar, duke cituar kështu Faik Konicën i cili e ka ngritur këtë problematikë që në vitin 1904.
“Që të ketë një kërkesë, të ketë një tendencë për të rritur përkthimet kjo është kërkesa e tregut, por ajo që mungon është në radhë të parë sistemi i vlerave, mungon kritika e përkthimit dhe kritika e përkthimit është po aq e rëndësishme sa kritika e artit dhe kritika e letërsisë”, deklaroi ministrja Kumbaro.
Top Channel