Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe njëherësh kandidat i PDK-së për komunën e Prishtinës, Agim Çeku, beson se pas zgjedhjeve locale tre nëntorit, serbet e Veriut do të integrohen në sistemin kushtetues të Kosovës dhe me këtë pret që të stabilizohet kjo pjesë problematike e vendit.

“Më tre nëntor i kemi zgjedhjet lokale, që për herë të parë do të mbahen në tërë territorin e Kosovës që për herë të parë do të mbahen në bazë të ligjeve të Kosovës dhe pas këtyre zgjedhjeve çdo kryetar i komunës do të jetë legjitim dhe kjo do të thotë integrim i tyre në sistemin tonë kushtetues dhe ligjor. Ne jemi optimist që edhe ky problem shumëvjeçar do të zgjidhet në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të rajonit”, deklaroi Çeku.

Çeku foli edhe për nismën e Malit të Zi për krijimin e një unioni të Ballkanit Perëndimor.

“Të gjitha vendet në rajon e kanë një perspektivë të përbashkët dhe ajo është integrimi në BE dhe NATO. Ky integrim do të bëhet vetëm për bashkëpunimit dhe kurrsesi përmes ndonjë formati tjetër”, u shpreh ministri i Forcës së Sigurisë.

Gjatë qëndrimit të tij në Shkup ditën e hënë, Çeku firmosi një memorandum bashkëpunimi në fushën e mbrotjes me kolegun e tij nga Maqedonia z. Talat Xhaferi. Ky i fundit, u zotua se në të ardhmen do të insistojë që në të gjitha nismat rajonale të përfshihet edhe Kosova.

“Vlerësojmë se rajoni do të jetë i plotë atëherë kur të gjitha subjektet rajonale të jenë anëtarë të plotëfuqishëm të nismave rajonale”, tha ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Talat Xhaferri.

Xhaferi më tej tha se Ministria e Mbrotjes së Maqedonisë do të vazhdojë të ndihmojë Forcën sigurisë së Kosovës në ngritjen e kapaciteve të nevojshme në bazë të planit të Ahtisarit.

Top Channel