Kriza qeveritare në Itali

29/09/2013 00:00

Ish-kryeministri Silvio Berlusconi krijon sërish një krizë qeveritare pasi pretendoi dhe arriti dorëheqjen e pesë ministrave të partisë së tij Populli i Lirisë.

Kryeministri Enrico Letta komentoi shumë ashpër këtë manovër duke shkruar se është “një akt i çmendur i kryer vetëm për të mbuluar çështjet e tij personale”. Kreu i qeverisë kërkon gjithsesi një verifikim të votëbesimit në Parlament ditën e martë dhe po punon për të marrë mbështetjen e sa më shumë deputetëve të djathtë.

Një prej hipotezave jozyrtare që po qarkullojnë këto orë është se Enrico Letta, nëse nuk arrin të ketë mbështetjen e deputetëve të nevojshëm për të marrë votëbesimin, do të japë dorëheqjen. Në këtë mënyrë vendi do të ketë një kryeministër që ka dhënë dorëheqjen dhe jo që ka humbur votëbesimin. Kështu, Presidenti i Republikës mund të evitojë zgjedhjet e parakohshme në nëntor, objektivi i vërtetë i Silvio Berlusconit.

E kështu, pas dy muajsh përballjesh të forta në gjirin e partisë Populli i Lirisë, fiton krahu më ekstrem dhe më pranë Berlusconit, i cili, me justifikimin se po kundërshton një taksë, e çon sërish vendin në një gjendje amullie dhe pasigurie politike duke lëkundur nga themelet një qeveri me bazë të gjerë që me sa duket e pati kohëzgjatjen vetëm pesë muaj.

Gjithsesi, fjalën e fundit do ta thotë presidenti Napolitano, i cili gjatë ditës së sotme do të takojë kryeministrin Letta.

Top Channel