Këshilli i Qarkut të Elbasanit ka bërë publike arritjet e deritanishme në drejtim të turizmit dhe ofertës për vizitorët dhe objektivat për të ardhmen.

Sipas Drejtorit për Zhvillimin e Turizmit, filozofia e këtij institucioni ka qenë nxitja e zhvillimit të turizmit duke bashkëpunuar me njësitë vendore e duke i dhënë akses të dorës së parë vetë bashkive dhe komunave.

Këshilli i Qarkut ka përfunduar studimet urbanistike për zhvillimin e turizmit për mjaft zona turistike sic janë studimi për kthimin e Krastës së Madhe në Park shlodhës, për Fushë-Studenin në Stëblevë, për zonën e Funarit, të Belshit e të Llixhave të Hidrajt.

“Kemi një plan për zhvillimin urbanistik të turizmit në zonën e Funarit ku ka burime natyrore dhe liqenet artificiale që janë krijuar të rrethuar me pyje dhe bukuritë në këtë zonë, kemi një plan për zhvillimin e turizmit në zonën e Llixhave, në zonën e sipër të tyre si dhe në zonën e Dumresë. Të gjitha këto kanë bërë të mundur që numri i turistëve në Qarkun e Elbasanit jo vetëm të rritet por të jenë edhe kushte akomoduese dhe shërbime më të mira. Do të thoja që drejtuesit e vendorë në këto zona duhet të punojnë më shumë si për rritjen e cilësisë së shërbimeve, jo vetëm për banorët por edhe për turistët por të bëjnë edhe më shumë promovim të zonave të tyre që të tërheqin turistë”, thotë Hasan Drazhi, Drejtor i Sektorit për Zhvillimin e Turizmit në Qarkun e Elbasanit.

Sipas statistikave rezulton se destinacionet më të frekuentuara të turizmit për Elbasanin gjatë viteve të fundit kanë qenë qyteti i Elbasanit ku interes ka pasur për turizmit historik e kulturor për arsye të vend ndodhjes së objekteve të tilla si kalaja e Elbasanit, Vija Egnatia, Bazilika, kishat dhe xhamitë mesjetare, shtëpitë dhe rrugët karakteristike.

Më pas në vëmendjen e turistëve renditen edhe Llixhat, zona e Shpatit, e Stëbleves, e Dumresë, Ujevarat dhe shpellat në Gramsh.

Qarku Elbasan numëron 100 destinacione turistike të natyrës historike apo të trashëgimisë kulturore, 80 monumente të natyrës, 37 lloje kostumesh popullore të cilat duke u kombinuar me traditën e mikpritjen përbën një nga industritë më të mëdha të zhvillimit të zonës në të ardhmen.

Top Channel