Kokaina, aksi Karakas-Paris, 22 në pranga

28/09/2013 00:00

Autoritetet venezueliane kanë arrestuar 22 persona në lidhje me një ngarkesë masive kokaine të gjetur në bordin e një avioni të Air France, që ishte nisur nga Karakas dhe mbërritur në Paris pak ditë më parë.

Të paktën 8 anëtarë të Gardës Kombëtare dhe 9 anëtarë të stafit të Air France janë arrestuar për akuza të lidhura me trafikun e drogës.

Anëtarët e gardës kishin për detyrë ruajtjen e sigurisë në aeroportin e Karakasit, ku 31 valixhe me kokainë ishin ngarkuar në avionin që udhëtonte drejt Parisit.

Anëtarët e Gardës Kombëtare dhe nëntë civilët janë akuzuar tashmë nga një gjykatë venezueliane për komplot me qëllim trafikun e organizuar të drogës, ndërkohë që 5 civilë të tjerë nuk kanë dalë ende përpara trupit gjykues.

Kompania ajrore franceze deklaroi se po heton nëse në radhët e stafit të saj ka bashkëpunëtorë të tjerë të trafikantëve.

Gjithësej në aeroportin e kryeqytetit francez, Charles de Gaulle, u sekuestruan më herët gjatë muajit 1.3 tonelata kokainë e pastër, e cila në rrugë do të kapte vlerën e 270 milionë dollarëve. Bëhet fjalë për sasinë më të madhe të bllokuar ndonjëherë në territorin francez.

Nga hetuesit francezë mësohet se droga ishte porositur nga Ndrangeta, mafia italiane me bazë në Kalabri, që kontrollon rreth 80 për qind të kokainës së importuar në Evropë.

Në Francë janë arrestuar ndërkohë 6 persona nën dyshimin e anëtarësisë në rrjetin e drogës, tre prej të cilëve janë nga Britania dhe tre të tjerët nga Italia.

Zyra e OKB për Drogën dhe Krimin deklaron se Venezuela nuk prodhon kokainë, por është kthyer në një vend tranzit për trafikimin e lëndës narkotike nga Kolumbia, Peruja dhe Bolivia drejt Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

Top Channel