Kenia, qeveria ishte informuar për sulmin

28/09/2013 00:00

Ministrat e qeverisë Keniane morën paralajmërime për një sulm të mundshëm para se terroristët e Al Shabab hynë në qendrën tregtare Westgate.

Sipas raportimeve të mediave lokale, paralajmërime të shërbimeve sekrete përmbanin plane të detajuara për sulme në Nairobi dhe Mombasa. Katër ministra të kabinetit qeveritar dhe kreu i forcave të armatosura të Kenias thuhet se janë informuar.

Të paktën 67 persona mbetën të vrarë pasi Al Shabab hynë në qendrën tregtare më 21 shtator dhe qëlluan si të marrë ndaj kujtdo që u dilte përpara.

“Raportimet që u ishin bërë ministrave flisnin për rrezikun në rritje të terrorizmit dhe për plane për kryerjen e sulmeve të njëkohshme në qytetet Nairobi dhe Mombasa mes datave 13 dhe 20 shtator”, shkruan gazeta keniane “Daily Nation”, që citon burime pranë departamentit të anti-terrorit.

Paralajmërimet u bënë për herë të parë në janar, njofton e përditshmja, dhe sërish nga fillimi i shtatorit.

Një raport nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës, që përmban mbi 8 mijë faqe, sugjeron gjithashtu se autoritetet izraelite paralajmëruan se ndërtesat e zotëruara nga qytetarët e tyre mund të sulmoheshin mes datave 4 dhe 28 shtator. Faktikisht, qendra tregtare Westgate është pjesërish pronë izraelite.

“Daily Nation” raporton më tej se shërbimet inteligjente keniane kishin arritur në përfundimin se liderët e Al Shabab kishin zgjedhur Westgate dhe Bazilikën e Familjes së Shenjtë për sulme më herët gjatë vitit.

Informacionet kishin shkuar tek ministri i Thesarit, ministri i Brendshëm, ministri i Jashtëm, i Mbrojtjes dhe shefit të forcave të armatosura. Një burim anonim ka thënë për agjencinë e lajmeve “AFP” se qeveria nuk u kishte kushtuar vëmendje të dhënave që kishte marrë.

Top Channel