Itali, dorëhiqen ministrat e Berlusconit

28/09/2013 00:00

Ministrat nga partia e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi kanë dhënë dorëheqjen nga postet përkatëse, duke i dhënë një goditje të rëndë situatës politike në Itali.

Kryeministri Enrico Letta u kthye nga Nju Jorku të premten në përpjekje për të parandaluar rënien e koalicionit qeverisës, por pa ia arritur qëllimit.

Partia e zotit Berlusconi, Populli i Lirisë, kundërshton planet e qeverisë Letta për rritjen e taksave.

Deputetët e tij kishin kërcënuar më herët me dorëheqje nëse komiteti i Senatit do të votonte javën e ardhshme për dëbimin e ish-kryeministrit, për shkak të procesit gjyqësor të tij.

Më herët gjatë ditës vetë Enrico Letta kërcënoi me dorëheqje nëse kabineti i tij qeverisës nuk do të merrte mbështetje të qartë në votimin parlamentar të kërkuar javën që vjen.

Paralajmërimi i kryeministrit italian erdhi pas dështimit të ekzekutivit për të aprovuar masat buxhetore kyçe.

Dorëheqja e ministrave të djathtë vjen pikërisht në kohën kur vendit i nevojitet dëshpërimisht qëndrueshmeri politike, për shkak të krizës financiare.

Top Channel