Gjermani, bisedimet për qeverinë

28/09/2013 00:00

Social-demokratët njoftuan nisjen e bisedimeve me kristian-demokratët e Merkelit për formimin e një koalicioni qeveritar, të detyruar nga rezultati i zgjedhjeve të fundit.

Merkel dhe CDU e saj fitoi zgjedhjet e fundit, por i duhet një aleancë me social-demokratët ose me të gjelbërit për të formuar kabinetin e ri qeveritar.

Një ndër drejtuesit e SPD-së, Sigmar Gabrial tha se anëtarët e partisë mbështetën propozimin për nisjen e bisedimeve me Merkel për bashkëqeverisje.

Ndërkohë, kreu i SPD-së, Peer Steinbrueck, që sfidoi Merkelin në zgjedhje, pas rezultatit të tyre deklaroi se po mendon tërheqjen nga politika aktive.

Sondazhet më të fundit tregojne se gjermanët mbështesin një koalicion të madh mes konservatoreve të Angela Merkelit dhe partisë kryesore të qendrës së majtë në vend, duke e konsideruar mundësinë më të mirë për një qeveri të re.

Anketa e televizionit “ARD” zbuloi se 48% e gjermanëve do të preferonin një partneritet të ”CDU”-së me Social-Demokratët dhe vetem 18% ishin pro aleances me të Gjelbrit.

Parlamenti i ri gjerman duhet të konstituohet ne 22 tetor. SPD-ja,  e Majta dhe ekologjistët së bashku kanë tetë vende më shumë se Unioni CDU/CSU.

Merkel siguroi 41.5 përqind të mbështetjes në zgjedhjet e fundit duke tejkaluar edhe parashikimet më optimiste të saj, ndërsa të majtët e SPD-së morën 26 përqind të tyre duke lënë pas të Gjelbërit me 8.4 përqind dhe tashëgimtaren e ish-partisë komuniste, Partia e Majtë me 8.6 përqind.

Top Channel