EULEX-i ofron shumën prej 27 mijë e 500 eurosh në këmbim të informacionit që çon në arrestimin e autorit të vrasjes së doganirerit Audriues Senavicius.

Shuma e të hollave, e konvertuar edhe në 3 milionë dinarë në valutën serbe, dhe një numër telefoni në të cilin qytetarët mund të japin informacione rreth rastit janë shtypur në disa fletushka.

Të shkruara në tri gjuhë: shqip, serbisht e anglisht, fletushkat janë shpërndarë në veriun e Kosovës edhe në fshatrat e banuara me shqiptarë si dhe në rrugët magjistrale që çojnë në drejtim të rajonit të banuar me shumicë serbe.

Kjo u bë e ditur nga ekipi udhëheqës i hetimeve në një konferencë për media në Drejtorinë e Policisë së Kosovës në veri. Por rezultate konkrete hetimore duket se nuk ka ende dhe përveç fillimit të kësaj fushate, EULEX-i prezantoi ekipin hetimor që po punon ne këtë rast.

“Dua t’ju njoftoj për shumën prej 27.500 euro ose tre milionë dinare në këmbim të informacionit që çon në arrestimin e autorëve të vrasjes mizore. I bëj thirrje personale kujtdo që ka parë diçka, të na tregojë. Nëse keni parë diçka të pazakonshme, pavarësisht sa e vogël apo e parëndësishme që ta mendoni, ju lutemi ta raportoni atë, ose në policinë vendase ose në EULEX, në numrin e telefonit +381 38 78 6565. Çdo gjë që thoni do të trajtohet në fshehtësi të plotë”, deklaroi Pascal Persons, prokuror i EULEX nga task forca në Mitrovicë.

Në këtë konferencë për media në stacionin verior të Mitrovicës, ku gazetarët nuk patën mundësi të bënin pyetje, prokurorët ndërkombëtarë nuk bënë të ditur nëse tani për tani ka ndonjë të dyshuar.

Prokurori kryesor i EULEX-it në këtë rast tha se hetimet janë zgjeruar në disa pista. Ai shtoi se për zbardhjen e rastit po punojnë 20 hetues të shkathët, siç i quajti ai, të misionit evropian.

“Kemi një numër pistash hetimi. Detyrë e hetuesve do të jetë që ta hetojnë secilën pistë të hetimit deri në përfundimin e tyre të zakonshëm”, deklaroi Andrew Carney, prokurori kryesor i çështjes.

Edhe drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç foli për kapacitetet angazhuese të policisë në zbardhjen e këtij krimi.

“Cdo ditë së paku pesë pjestarë të policisë punojnë drejtëpërdërdrejt me ekipin e EULEX-it. Kështu, nëse dikush ka parë diçka, i lutem te tregojë. Më tregoni mua ose ndonjërit prej oficerëve të mi”, tha Gjuriç.

Doganieri i EULEX-it, Audriues Senavicius, nga Lituania, u vra gjatë një sulmi me armë zjarri ndaj automjetit me të cilin po udhëtonte më 19 shtator në veriun e Kosovës.

Top Channel