Gjykata Themelore në Mitrovicë ka miratuar kërkesën e një prokurori të EULEX-it për zgjatjen e paraburgimit të Zharko Veselinoviçit edhe për një muaj. Veselinoviçi dyshohet për disa vepra si tentativë për vrasje, posedim apo përdorim të paautorizuar të armës, vjedhje e rëndë, pengim i personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe mashtrim.

Sipas një komunikate nga EULEX, gjykatësi kishte konstatuar se janë shtuar provat lidhur me akuzën për tentativën e vrasjes së dy policëve. Provat, të cilat i janë parashtruar gjyqtarit deri më tani lidhur me këtë akuzë, janë mjaft të fuqishme për ta rritur shkallën e dyshimit, por për to kërkohen shqyrtime dhe vlerësime të mëtejshme, thuhet në komunikatë.

Gjyqtari konsideroi se rreziku i arratisjes është i lartë për shkak të lidhjeve të të pandehurit me Serbinë, të rrethanave lidhur me akuzat kundër tij dhe trazirave të mundshme që do të mund ta pengonin detyrimin e tij për t’u paraqitur në seancat e ardhshme.

Prandaj, gjyqtari erdhi në përfundim se rreziku i arratisjes mbetet në atë nivel për të cilin kërkohet masa e caktuar, njofton EULEX. Veselinoviç ishte arrestuar në muajin korrik në veri të Kosovës. Ai është vëllai i Zvonko Veselinoviçit, i cili konsiderohet si një ndër njerëzit kryesorë të krimit të organizuar në veri, përfshi sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe kontrabandën e karburanteve.

Top Channel