Siri, hetime për sulme të tjera kimike

27/09/2013 15:20

Një grup inspektorësh të OKB-së janë duke hetuar të dhënat për tre sulme të tjera kimike të ndodhura në Siri pas datës 21 gusht, kur një lagje e Damaskut u bombardua me gas sarin duke shkaktuar të paktën 1 429 viktima në civilë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara deklaroi se të gjithë të dhënat në lidhje me këto sulme të paverifikuara janë duke u hetuar imtësisht.

Aktualisht, një skuadër hetimore e OKB-së ndodhet në Siri, me një mandat që pritet të skadojë ditën e hënë.

Një rezolutë e OKB-së, fryt i një marrëveshje ruso-amerikane, parashikon që presidenti al-Assad të depozitojë në një vend të sigurt të gjithë armët e tij kimike, që më pas do të vendosen nën mbikqyrjen ndërkombëtare dhe do të shkatërrohen.

Në total, përveç tre rasteve të dyshuara të përdorimit të armëve kimike në Siri pas datës 21 gusht, janë duke u hetuar edhe katër raste të tjera të ndodhura më parë gjatë vitit.

Ndërkohë, lufta civile në Siri vazhdon t’i marrë jetën në mënyrë të përditshme dhjetëra e qindra sirianëve, me bilancin e viktimave që ka kaluar 100 mijë të tillë dhe të paktën katër milionë sirianë që kanë braktisur shtëpitë e tyre duke u shndërruar në refugjatë brenda apo jashtë vendit.

Top Channel