Me ceremoni shtetërore, nderime të larta nga Garda e Shtetit, në praninë e mijëra qytetarëve dhe përfaqësuesve të shtetit, u bë zbulimi i shtatores e cila u cilësua si kthim historik i presidentit të parë të Republikës së Kosovës.

Shtatorja e ish-Presidentit Ibrahim Rugova u inaugurua pikërisht në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë.

Zbulimi u bë nga presidentja Atifete Jahjaga, bashkëshortja e ish-presidentit, Fana, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa. Për veprën e ish-presidentit të ndjerë foli presidentja kosovare dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa.

Presidentja tha se kjo shtatore e presidentit Rugova është bazament i lirisë. Sipas saj, prania e kësaj vepre arti nderon të gjithë duke dëshmuar rrugën dhe sakrificën përgjatë shekujve: “Kjo shtatore na kujton e dëshmon për rrugën dhe sakrificën për liri, pavarësi e demokraci. Rugova ishte i pari që solli frymën e demokracisë perëndimore.”

Ndërkohë, z.Mustafa tha se Kosova nderon presidentin Ibrahim Rugova, i cili ishte mjeshtër i artit poetik dhe dijetar i cili i doli në ballë të popullit në kohën më të vështirë dhe bënte thirrje për zgjidhje për paqe.

Shtatorja e liderit historik të Kosovës është punuar prej bronzi dhe ka lartësi prej 4.20 m. Ajo është punuar nga skulptori shqiptar Julian Muçollari dhe ndihmësit e tij, në një kohë rekord prej vetëm 15 ditësh. Kjo ceremoni është organizuar nga komuna e Prishtinës me mbështetjen e Presidencës dhe FSK-së.

Top Channel