
Në tokë, në ajër, në ujë; ngrohja globale po ndodh dhe kjo është e padiskutueshme. Në këtë përfundim ka mbërritur raporti i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimaterike i ngritur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe i publikuar të premten në Stokholm.
Në raportin prej 2200 faqesh ku është përmbledhur puna kërkimore e gjashtë viteve e studiuesve dhe specialistëve të përzgjedhur të këtij paneli thuhet me siguri prej 95 përqindësh që njeriu është shkaktari i ngrohjes globale.
“Njeriu është shkaku kryesor i rritjes së cdo vit të mesatares së temperaturave që nga viti 1950”, vlerëson raporti.
Paneli paralajmëron se nëse vazhdohet me këtë ritme të emëtimit të dioksidit të karbonit në atmosferë temperaturat do të vazhdojnë të rriten dhe kjo do të reflektohet në të gjitha aspektet e tjera të sistemit klimaterik.
Vlerësohet gjithashtu se në 15 vitet e fundit, ngrohja globale është ndalur disi, por kjo, sipas studiuesve të OKB-së është shumë pak dhe e përkohëshme për t’u reflektuar tek ndryshimet afatgjata të klimës.
Dokumenti analizon ndryshimin e kohës së stuhive, sasinë e reshjeve, thatësirat dhe fenomene të tjera ekstreme të motit, si dhe pasojat e ndryshimeve në shtresat e akullit dhe ndikimin në ngritjen e nivelit të detit.
Shpresat janë që raporti i IPCC-së do të arrijë t’i ndihmojë qeveritë dhe shoqërinë civile që të marrin vendime më të mira për çështjet e klimës.
Top Channel