Mandat-arresti “Vejushës së Bardhë”

27/09/2013 00:00

INTERPOL-i ka lëshuar një mandat arresti për shtetasen britanike Samanta Ljuth/Uejt, me kërkesë të autoriteteve keniane. Ajo është e veja e Xhermejn Lindzi, një prej katër kamikazeve që ndërmorën sulmet në Londër, më 7 korrik të vitit 2005, ku humbën jetën 52 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.

E njohur si “Vejusha e Bardhë”, Samanta është e lidhur me grupin islamik somalez al-Shabab, i cili mori përsipër sulmin në qendrën tregtare “Westgate”, në Nairobi, në fundjavë. Sulmi dhe mbajtja nën kontroll e ndërtesës prej 4 ditësh solli vdekjen e 67 personave, ndërsa 63 të tjerë rezultojnë të humbur.

Përmes një deklarate, INTERPOL-i tha se 29-vjeçarja kërkohet nga Kenia, e akuzuar për mbajtjen e eksplozivëve dhe komploteve kriminale që datojnë prej dhjetorit të vitit 2011. Asokohe, zyrtarët e anti-terrorizmit ndërkombëtarë gjetën në apartamentin e saj, në Mombasa, materiale prej të cilave mund të bëheshin bomba.

Por, ajo arriti të largohej pak para mësymjes. Njoftimi i INTERPOL-it, i cilësuar si “alarm i kuq”, u kërkon vendeve anëtare të policisë ndërkombëtare të arrestojnë të dyshuaren, deri në kryerjen e procedurave të ekstradimit. E njohur ndryshe me emrin “Natali Ueb”, ajo bën pjesë në grupin islamik somalez al-Shabab, i cilësuar “terrorist” nga Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, Kenia po mban zi për viktimat. Të enjten u krye ceremonia e varrimit e të prezantueses televizive Ruhila Adatia Sud, e cila ishte shtatzënë. Flamujt janë në gjysmështizë, ndërsa masat e sigurisë janë shtuar në Nairobi.

Top Channel