Korrupsioni i lartë në institucionet e Republikës së Kosovës po i ndalon investimet e huaja në vend. Për këtë kanë debatuar të enjten deputetët kosovarë. Me 38 vota pro, 30 kundër dhe 3 abstenime ata miratuan në parim projektligjin për investimet e huaja.

Ky projektligj, sipas përfaqësuesve qeveritarë, do t’u ofrojë mbështetje investitorëve potencialë, ndërkohë që sipas opozitës korrupsioni i lartë vazhdon të mbetet pengesa kryesore për investitorët që të vijnë në Kosovë.

“Ky projektligj u ofron mbrojtje të plotë investitorëve të huaj dhe investimeve të tyre në  përputhje me legjislacionin ndërkombëtar duke iu ofruar siguri se të drejtat e tyre krahas legjislacionit vendor do të mbrohen edhe me legjislacionin ndërkombëtar dhe konventat ndërkombëtare në fushën e investimeve të huaja. Me këtë projektligj është parashikuar që investimet e huaja nuk do të eksprirohen apo nacionalizohen në mënyrë të drejtë apo të tërthorë, nuk do të jenë objekt i një mase të barazvleshme me to me përjashtim të rasteve të veçanta me interes publik të përcaktuara me ligj, pa u diskriminuar me ligj, me kompensim të menjëhershëm të përshtatshëm, efektiv me procedurat ligjore”, tha në fjalën e saj në Kuvend, Mimoza Kusari-Lila, Ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

Deputetët e opozitës kanë thënë se në Kosovë investitorët e huaj nuk mund të vijnë dhe të investojnë, pasi barriera kryesore është korrupsioni i madh që vazhdon të jetë në vend.

“E para ka të bëjë me ndryshimin që është zbritja e përqindjes së investimit të huaj në investimet e përgjithshme, që të konsiderohet si investitor i jashtëm prej 28 deri në 10 përqind, është zbritje e cila duhet të analizohet se a i bën mirë investimeve aktuale apo jo, ndërsa si propozim besoj se do ta shqyrtojmë më shumë në Komisionin për Zhvillim Ekonomik”, deklaroi Lutfi Zharku, deputet i LDK-së.

“Edhe Lëvizja Vetëvendosje e konsideron këtë ligj të jetë po aq i dëmshëm, po aq i rrezikshëm ashtu si ka qenë edhe në dy versionet e tij më parë dhe fillimisht do ta votojmë kundër ligjin dhe më mirë të themi që Qeveria t’i thërrasë mendjes, konkretisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ta tërheqë ligjin në mënyrë që të bëjë një ligj që të pajtohen deputetët. Por po shihet se këta nuk duan ta bëjnë një gjë të tillë”, u shpreh Visar Ymeri, kreu i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

“Është ndoshta një gjë e mirë se i garanton qytetarët tanë që jetojnë e veprojnë në Evropë se do t’ju sigurohet edhe atyre kapitali investues, por edhe ata nuk janë duke investuar këtu për arsye se këtu nuk mund të investohet e të punohet për shkak të korrupsionit të madh. Duke e ditur se edhe vetë investitorët e brendshëm janë duke u persekutuar maksimalisht dhe pakënaqësia e tyre reflekton direkt në pakënaqësinë e investitorëve të huaj që vijnë këtu në Kosovë për arsye se shumica e tyre konsultohen me investitorët vendas të cilët i sugjerojnë se ata nuk kanë vend për arsye se edhe vetë investitorët e brendshëm nuk janë të kënaqur”, tha Ramiz Kelmendi i AAK-së.

Së fundmi, një hulumtim i Odës Ekonomike tregoi se Kosova është vendi më i pasigurt në rajon sa i përket sigurisë dhe krijimt të kushteve për investitorët e huaj potencialë.

Top Channel