Ish-konsulli grek në Korçë dënohet me 1 vit burg

27/09/2013 00:00

Ish-konsulli grek në Korçë, Teodoros Ekonomu është dënuar me 1 vit burg
dhe 5 000 euro gjobë  nga drejtësia helene nën akuzën e “sjelljes së
pahijshme gjatë qëndrimit të tij në Korçë”.

Dënimi i tij ka të bëjë me kohën kur shtetasit shqiptarë nuk mund të lëviznin lirshëm në vendet e Bashkimit Europian, dhe Ekonomu akuzohet se ka ndjekur procedura të paligjshme në dhënien e vizave greke për qytetarët shqiptarë.

Ish-konsulli grek në mbrojtjen e tij theksoi se gjykata nuk mund të gjykojë një shërbim që është subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërsa i konsideroi si të pabaza akuzat ndaj tij.

Ekonomu u shpreh gjithashtu se kishte marrë kërcënime nga deputetë, avokatë dhe biznesmenë sepse nuk kishte dhënë viza afatshkurtra për shtetasit shqiptarë, të cilët donin të shkonin në Greqi për të punuar, ndaj kjo akuzë sipas tij është absurde.

Në sallën e gjyqit u debatua edhe rreth toneve nacionaliste të përdorura prej tij, gjatë punës në Konsullatën greke në Korçë, ndërkohë që prokurori i çështjes i kujtoi ish-diplomatit se si përfaqësues i shtetit grek duhet të përdorte termin Shqipëria Jugore dhe jo Epiri i Veriut, siç është shprehur Ekonomu.

Top Channel