Deputetja serbe e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviç ka denoncuar
presionet në rritje që po ushtrohen ndaj individëve dhe organizatave
serbe në veri të Kosovës, në lidhje me zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Qytetarët po kërcënohen me humbjen e vendit të punës, me dëmtim fizik, marrje të pronës dhe mënyra të tjera të cënimit të sigurisë së tyre”, ka deklaruar Trajkoviç, e cituar nga “RTK”.

Sipas saj, për shkak të presioneve por edhe arsyeve të tjera, serbët e Kosovës janë distancuar gjithmonë ndaj proceseve zgjedhore që janë mbajtur në shtetin e ri.

Për këtë arsye, Trajkoviç u ka bërë thirrje qytetarëve në veri dhe në jug të lumit Ibër që të dalin në numër sa më të madh në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Një denoncim të ngjashëm ka bërë edhe kryesuesja e Zyrës Administrative në Veri dhe kandidatja për kryetare të kësaj komune, Adriana Hoxhiç.

Ajo ka deklaruar për “REL” se rrethanat aktuale nuk premtojnë një ambjent të sigurt për një proces elektoral demokratik në veri.

Hoxhiç ka ftuar Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in për një rol më aktiv, në mënyrë që të garantohet siguri e qëndrueshme gjatë fushatës, ditës së zgjedhjeve dhe fazës së ngritjes së institucioneve lokale.

Top Channel