SHBA, NSA përgjonte Luther King

26/09/2013 00:00

Agjencia e Sigurisë Kombëtare në Shtetet e Bashkuara ka përgjuar liderin
e të drejtave civile Martin Luther King dhe boksierin Muhammad Ali
gjatë protestave kundër luftës në Vietnam.

Kështu tregojnë disa dokumente dikur të klasifikuara, por të publikuara ditët e fundit nga mediat amerikane. Dokumentet tregojnë se NSA gjithashtu përgjoi gazetarë nga “New York Times” dhe “Washington Post”, si dhe dy senatorë.

Disa zyrtarë të NSA-s më vonë e përshkruan programin si ilegal dhe në shkelje me të drejtat e njeriut, tregojnë dokumentet. Operacioni, i koduar me emrin “Minaret”, fillimisht u ekspozua në vitin 1970.

Sidoqoftë, emrat e personave që janë përgjuar janë mbajtur sekret deri më sot. Dokumentet u publikuan pasi një panel qeveritar vendosi në favor të kërkesës së disa studiuesve të Universitetit George Washington.

Arkivi i Sigurisë Kombëtare, një institut kërkimor që përpiqet të zbardhë sekretet e qeverisë, i cilësoi emrat e personave në listën e NSA-së si persona VIP.

Agjencia përgjoi kështu liderët e të drejtave civile, Martin Luther King dhe Whitney Young, kampionin e boksit Muhammad Ali dhe gazetarët Tom Wicker dhe Art Buchwald të “NYT” dhe “WP”.

NSA monitoroi gjithashtu telefonatat e dy senatorëve premtues të Shteteve të Bashkuara, demokratit Frank Church dhe republikanit Howard Baker.

Shumë nga personat e përgjuar kanë qenë kritikë ndaj përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në luftën e Vietnamit.

Në vitin 1967 fuqia e fushatës kundër luftës detyroi presidentin Lyndon Johnson t’u kërkonte agjencive të inteligjencës të zbulonin nëse disa nga protestat po financoheshin nga qeveri të huaja.

Top Channel