SHBA, humbje në agjencinë federale

26/09/2013 00:00

Agjencia amerikane që ka për detyrë frenimin e kontrabandës së duhanit humbi gjurmët e 420 milionë cigareve të sekuestruara në një operacion “undercover”.

Zbulimi është bërë nga një auditim i Departamentit të Drejtësisë. Gjithashtu, është zbuluar se agjentët e Zyrës kundër Alkoolit, Duhanit, Armëve dhe Eksplozivëve grumbulluan 162 milionë dollarë me shitjen e duhanit, po në një operacion sekret.

Paratë në fjalë u përdorën për të financuar operacione të tjera mes periudhës 2006-2011. Të dhënat janë publikuar në një auditim të përdorimit të fondeve të ATF-së në misionet e fshehta.

Në raportin e publikuar të enjten, Departamenti i Drejtësisë deklaroi se ka gjetur një mungesë serioze të mbikëqyrjes së operacioneve të fshehta.

Në operacione të tilla, ATF përdor të ardhura të siguruara nga operacione të mëparshme, të cilat nuk i depoziton në Departamentin amerikan të Thesarit. ATF e mori këtë të drejtë në vitin 2004.

Menaxherët e agjencisë shpesh herë i kanë anashkaluar politikat për operacionet e fshehta dhe nuk kanë arritur të llogarisin me saktësi asetet e sekuestruara gjatë tyre.

Në një operacion të paautorizuar, agjentët shitën cigare me vlerë 15 milionë dollarë në 18 muaj. Ndërsa një informator konfidencial i përfshirë në këtë mision u lejua të merrte mbi 4.9 milionë dollarë për të mbuluar shpenzimet e tij, konstaton auditimi.

ATF konfiskoi 9.9 milionë kuti cigaresh gjatë 20 hetimeve, por dokumentacionet e papërshtatshme çuan në humbjen e 2.1 milionë kutive, ose 420 milionë cigareve me vlerë 127 milionë dollarë.

Top Channel