Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç ka thënë para Asamblesë së
Përgjithshme të OKB-së se, Serbia nuk e ka njohur as ligjërisht e as
faktikisht pavarësinë e Kosovës.

“Marrëveshja me Prishtinën kurrësesi nuk nënkupton që Beogradi ka ndërmend të pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB e as në organizatat tjera ndërkombëtare”, ka thënë Nikoliç.

Më herët gjatë muajit mediat serbe raportuan se Nikoliç nuk ka ndërmend ta pranojë ftesën për pjesëmarrje në Samitin e presidentëve të shteteve të rajonit, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm në Kosovë.

“Edhe nëse do të ketë një ftesë të tillë nga presidentja e Kosovës, ende nuk është momenti i duhur për të mbajtur një takim të tillë në Kosovë”, deklaruan burime të afërta me Nikoliç për gazetën “Danas”.

Ndërsa këshilltari i presidentes Jahjaga, Arber Vllahiu, po për “Danas” shprehu besimin se takimi i ardhshëm mes Jahjagës dhe Nikoliç do të jetë në Kosovë.

“Jahjaga, si pritëse e këtij takimi që do të mbahet më 2014, do t’i dërgojë ftesë zyrtare presidentit Nikoliç për pjesëmarrje, me shpresën që një ftesë e tillë do të pranohet”, tha këshilltari i Jahjagës.

Top Channel