Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zyrtarizon bashkëpunimin me OSBE-në përsa i përket rolit të këtij misioni në organizimin e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës. Në mbledhjen e së entjes KQZ-ja miratoi memorandumin, disa prej pikave të të cilit tashmë kanë gjetur zbatimin në terren.

“Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, misioni në Kosovë, do të kryejë një rol lehtësues në katër komunat veriore në procesin e çertifikimit dhe regjistrimit të subjekteve politike nëpërmjet sjelljes së aplikacioneve për çertifikim të subjekteve politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Regjistrimi dhe çertifikimi i subjekteve politike do të kryhet duke ndjekur proçedurat e përcaktuara në ligjin e Kosovës”, thuhet në letrën që shefi i OSBE-së i ka dërguar kryetares së KQZ-së dhe që si e tillë mori aprovimin e shumicës së anëtarëve të Komisionit.

Njëra nga pikat që nxiti debat ishte ajo për transferimin e të dhënave të serbëve me qëllim që të krijohet lista e votuesve e saktë për katër komunat veriore në Kosovë. KQZ-ja kërkoi nga OSBE-ja heqjen e kësaj pike pasi bëhet fjalë për një çështje me të cilën duhet të merret Ministria e Brendshme.

Edhe mungesën e KQZ-së në veri do ta plotësojë OSBE-ja. Në memorandum thuhet se, në katër komunat veriore do të vendosen zyrat e OSBE-së në dispozicion të Komisioneve Komunale Zgjedhore.

“Misioni i OSBE-së, në koordinim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të kryejë gjithashtu trajnimin e Komisioneve Komunale Zgjedhore në proçedurat e menaxhimit të zgjedhjeve. OSBE do të kujdeset po kështu që të realizojë një fushatë informuese për votuesit serbë në veri. Fushata do të jetë ekskluzivisht e fokusuar në sqarimin e votimit dhe proçedurave të tjera të lidhura me zgjedhjet”, thuhet në memorandumin e bashkëpunimit.

Marrëveshja në tërësi u kundërshtua nga anëtari i lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, që deklaroi se shumica prej pikave tashmë janë zbatuar.

Top Channel