Viktimat tragjike të pengmarrjes në Nairobi

25/09/2013 00:00

Mes viktimave të sulmit terrorist në qendrën tregtare në Nairobi të Kenias kishte edhe disa shtetas të huaj, ndër të cilët edhe modelja dhe aktorja 27-vjeçare franceze, Anne Dechauffour.

Trupat e pajetë të 27-vjeçares dhe nënës së saj u gjetën në parkingun e makinave. Ato mendohet se kanë qenë ndër viktimat e para të sulmit që nisi ditën e shtunë. Dy francezet janë qëlluar në brendësi të makinës së tyre me breshëri automatike në momentin kur militantët e Al Shabab po mësynin qendrën.

Publiku francez është tronditur nga vrasja e tyre, ndërsa mësohet se pak ditë më parë, 27-vjeçarja modele që jetonte në Londër, kishte marrë pjesë në një film me metrazh të shkurtër në qendër të të cilit ishte pikërisht pengmarrja.

Megjithatë historia e 27-vjeçares nuk është e vetmja histori tragjike. Viktimat e sulmit ishin nga Peruja e deri në Indi, mes të cilëve edhe arkitekti britanik Ross Langdon, 33 vjeç që vdiq së bashku me bashkëshorten e tij shtatzënë, Elif Yavuz.

Top Channel