Urdhër për lirimin e shkollave

25/09/2013 00:00

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolli u kërkoi drejtuesve të institucioneve të arsimit parauniversitar në të gjithë vendin që të lirojnë mjediset shkollore nga çdo aktivitet tregtar brenda datës 25 tetor.

Përmes një letre të hapur drejtuar titullarëve të shkollave nëntëvjecare dhe të mesme, ministrja Nikolli u shprehu atyre mbështetjen dhe angazhimin për ndërtimin e një modeli të ri të rolit dhe funksionimit të shkollave.

Një nga hapat e parë në këtë drejtim është kthimi urgjent shkollës i çdo mjedisi, brenda godinës apo territorit të saj, dhënë palëve të treta për aktivitete tregtare.

“Mangësitë e ndjeshme të politikave arsimore dhe mungesat e konsiderueshme të mjeteve financiare e logjistike ju kanë bërë shpesh të ndiheni vetëm në kryerjen e një misioni që s’është thjesht e vetëm juaji. Kjo do të ndryshojë pa humbur më kohë.

Unë jam e angazhuar që nëpërmjet një partneriteti të ri strategjik, mes mësuesve, prindërve dhe shtetit, të ndërtojmë modelin e ri të shkollave si qendra të komunitetit.

T’i japim shkollës një rol që shkon përtej mësimdhënies, formimin e qytetarisë së re evropiane. Ta bëjmë shkollën, pikë referimi të komunitetit dhe qendër graviteti të bashkëjetesës demokratike”, thuhet në letrën që ministrja e Arsimit u drejton titullarëve të shkollave.

Zonja Nikolli u bën thirrje të gjitha njësive arsimore vendore që deri më 25 tetor të ndërpresin çdo marrëdhënie ekonomike mbi territorin e tyre, si dhe të ndalojnë dhënien me qira ose në përdorim të mjediseve që ndodhen në institucionet publike të arsimit parauniversitar.

Top Channel