Rouhani: Kërcënimi iranian, imagjinatë

25/09/2013 00:00

Në fjalën e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti iranian, Hassan Rouhani e quajti pjellë të imagjinatës gjithë atë që quhet “kërcënimi iranian”.

Ai tha se vendi i tij nuk ka synuar, nuk synon dhe nuk do të synojë asnjëherë ndërtimin e armëve të shkatërrimit në masë dhe mbrojti programin bërthamor për qëllime paqësore.

“Armët bërthamore dhe armët e tjera të shkatërrimit në masë nuk zënë vend në politikat e sigurisë së Iranit dhe as në doktrinën mbrojtëse të Republikës Islamike dhe bie ndesh me parimet tona etike dhe fetare. Interesi ynë kombëtar është të heqim të gjitha shqetësimet ndërkombëtare sa i përket programit bërthamor iranian që është vetëm për qëllime paqësore”, tha Rouhani.

Ai tha se Teherani është i përgatitur për të rinisuar sa më parë bisedimet me vendet perëndimore për të ndërtuar një besim reciprok dhe heqjen e të gjitha dyshimeve të dyanëshme. Rouhani kritikoi sanksionet duke i krahasuar ato me të njëjtat të përdorura ndaj Saddam Hussein kur ky i fundit drejtonte Irakun.

“Këto sanksione janë të pamëshirshme. Nuk janë elitat politike që preken prej tyre, por njerëzit e thjeshtë”, tha presidenti iranian.

Sa për Sirinë, ku Irani është një ndër mbështetësit më të fortë të presidentit Bashar al Assad, Rouhani dënoi përdorimin e armëve kimike dhe tha se mirëpret angazhimin e Damaskut për t’iu bashkuar konventës ndërkombëtare kundër këtyre armëve.

Po para Asamblesë së OKB-së, të martën presidenti amerikan Barack Obama tha se ndjehej i inkurajuar nga kursi i moderuar i presidentit iranian. Sa për Sirinë, presidenti amerikan bëri thirrje për një rezolutë të fuqishme për të dënuar regjimin e presidentit Bashar al Assad.

Mesazhi i presidentit iranian për amerikanët

“I them popullit amerikan që sjell paqe dhe miqësi nga populli iranian për të gjithë amerikanët”. Me këtë fjalë nisi intervistën e tij për CNN, presidenti iranian, Hasan Rouhani.

Në intervistën e tij të parë për një televizion perëndimor, presidenti i ri iranian përmendi edhe zërat për një takim të drejpërdrejt me presidentin Obama dhe arsyet se përse ishte tërhequr nga ky hap.

“Ka patur një interes nga administrata amerikane për t’u takuar dhe sigurisht disa gjëra ishin rregulluar për këtë takim. Megjithatë unë besoj që ne nuk ishim koordinuar sic duhet dhe nuk kishim në dispozicion kohën e nevojshme për një takim të tillë që duhej të ishte gjithëpërfshirës”, tha Rouhani.

Zyrtarë të administratës amerikan thanë të martën për CNN se takimi ishte anuluar sepse konsiderohej “tepër i komplikuar” nga pala iraniane.  Ata lanë të kuptohej se Rouhani nuk kishte marrë miratimin e Liderit Suprem Iranian, Ajatollahut Khamenei. Megjithatë, vetë presidenti e mohoi këtë.

“Mendoj që presidenti i Iranit ka të gjithë autoritetin e nevojshëm për të diskutuar dhe për t’u takuar kurdoherë që përfshihet interesi kombëtar. Lideri Suprem e ka thënë që nuk kundërshton asnjëherë bisedimet që kanë të bëjnë me interesin kombëtar të Iranit”, tha ai.

Top Channel