Franca thellon borxhin publik

25/09/2013 00:00

Franca njoftoi për rritjen e borxhit të saj publik vitin e ardhshëm në 95.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke tejkaluar të gjitha parashikimet.

Këto shifra u publikuan pas bërjes publike të planit për buxhetin 2014. Rritja e borxhit francez shkon përtej parashikimeve dhe vendos rekordin e mbajtur nga 2013-ta që është në 93.4 për qind.

Megjithatë, autoritetet franceze thanë në 2015 borxhi publik do të ulet dhe ripërsëriti objektivin për të ulur poshtë 3 përqindëshit defiçitin publik për atë vit. 3 përqind është edhe kufiri i vendosur në marrëveshjen e Bashkimit Europian që detyron të gjitha vendet e Eurozonës të mbajnë poshtë kësaj shifre defiçitet publike vjetore.

Qeveria franceze njoftoi gjithashtu se do të ketë rritje taksash, sidomos tek pasuritë e patundëshme, ndërsa shtoi se vitin e ardhshëm parashikohen lehtësira fiskale për biznesin.

Borxhi francez pritet të rritet në 46.4 miliard euro në 2014 duke tejkaluar 45 miliard eurot që është përcaktuar për këtë vit, ndërsa rritja ekonomike pret të vërtitet rreth 1 përqindëshit.

Pas publikimit të këtyre të dhënave, ekspertët kunërshtuan autoritetet duke thënë se nuk bëhet fjalë për rimëkëmbje ekonomike përsa kohë rritja ekonomike vërtitet rreth 1 përqindëshit.  Ata thonë se rimëkëmbja do të ndodhë atëherë kur prodhimi i brendshëm të tejkalojë nivelin e 2007-ës dhe kur ekonomia të krijojë vende të reja pune.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB