Agjentë të policisë anti-turmë kanë përdorur mbrëmjen e së mërkurës gaz lotësjellës ndaj disa dhjetëra protestuesve.

Gjithçka ka ndodhur gjatë një manifestimi anti-fashist në Athinë, me protestuesit që godisnin me gurë dhe shishe.

Lajmin e ka bërë të ditur televizioni privat Mega. Incidentet janë verifikuar teksa qindra demonstrues po përshkonin rrugën Mbretëresha Sofi, drejt selisë së partisë pro-naziste, Agimi i Artë.

Subjekti politik në fjalë është vënë në shënjestër pasi javën e kaluar një simpatizant i saj vrau me thikë një këngëtar të ri anti-fashist.

Policia arrestoi autorin e vrasjes, që pranoi se ishte pjesë e lëvizjes së ekstremit të djathtë, ndërkohë që vetë deputetët e Agimit të Artë mohuan të kenë pasur gisht në këtë vrasje.

Ndërsa si masë kundër tyre, qeveria Samaras vendosi heqjen e truprojës policore për këta deputetë dhe cilësimin e veprave të tyre si kriminale.

Ndërsa një ditë më parë, pas zërave për lidhje të anëtarëve të Agimit të Artë me drejtues të lartë të policisë greke, ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Dendias urdhëroi ngritjen e një task force për hetim.

Grupi hetimor do të drejtohet nga kreu i Shërbimit të Brendshëm të policisë greke, Panajotis Stathis. Stathis do të përpiqet të vërtetojë akuzat e hedhura në mediat vendase për lidhjen e eksponentëve të policisë dhe pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet e dhunshme të pro-nazistëve.

Top Channel