
Në kuadër të vizitës në Nju Jork për punimet e Asamblesë së
Përgjithshme, kryeministri Thaçi takoi zëvendëskryeministrin dhe
ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Evangelos Venizelos.
Sipas raportimeve të “RTK”, kryeministri Thaçi në takim ishte i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
Gjatë takimit Thaçi theksoi se Kosova dhe Greqia kanë raporte në fushën e ekonomisë, tregtisë, edukimit dhe shkencës, të cilat duhet të vazhdojnë të fuqizohen.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe për hapjen e zyrës ekonomike tregtare ne Athinë, si hapi i parë në formalizimin e marrëdhënieve mes të dy shteteve, gjë e cila do të jetë në dobi të ekonomisë së dy vendeve.
Thaçi gjithashtu përsëriti kërkesën për formalizmin e pranimit të pasaportave të Kosovës, si nevojë e domosdoshme për lëvizje të lirë dhe nënvizoi se ky akt do të ishte ne dobi të mirëbesimit reciprok.
Nga ana e tij, Venizelos theksoi se Greqia e përkrah axhendën e integrimeve evropiane të vendeve të rajonit, përfshirë Kosovën.
Më vonë Thaçi u takua me kryeministrin libian, Ali Zeidan, të cilit i përsëriti kërkesën për njohjen e Kosovës nga shteti i Libisë.
“Kosova tanimë është e njohur nga shumica e vendeve anëtare të OKB-së dhe pozita e saj në arenën ndërkombëtare po fuqizohet çdo ditë e më tepër”, deklaroi Thaçi.
Ai i kujtoi homologut libian se Kosova ka qenë një ndër shtetet e para në rajonin e Ballkanit që ka mbështetur Pranverën Arabe.
Top Channel