Lufta në Lindjen e Mesme/ SHBA mbyll ambasadën në Arabinë Saudite dhe Kuvajt, zvogëlon praninë konsullore në disa vende të tjera të rajonit Qeveria e Rusisë ka deklaruar se inspektorët e OKB-së për armët kimike do të rikthehen në Siri ditën e mërkurë.
Zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov deklaroi se ata do të hetojnë sulmin kimik të muajit të kaluar në disa lagje të Damaskut.
Inspektorët ishin përgatitur për këtë proces që kur armët kimike u qëlluan ndaj civilëve në periferitë e kryeqytetit sirian më 21 gusht.
Javën e kaluar ata konfirmuan se gazi nervin Sarin ishte përdorur në sulmin në fjalë, që u mori jetën edhe shumë grave e fëmijëve.
Dy ditë më parë Rusia u shpreh e gatshme të dërgojë personel të saj ushtarak në Siri, me qëllim që të garantojë shkatërrimin e armëve kimike, marrëveshje për të cilën është rënë dakord më parë.
Ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov deklaroi në një televizion vendas se trupat ruse do të garantojnë shkatërrimin e plotë të arsenalit kimik, në kuadër të një marrëveshje ruso-amerikane, të pranuar edhe prej presidentit Bashar al-Assad.
Në fjalën e tij, Lavrov gjithashtu akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po minojnë marrëveshjen, nëpërmjet “rezolutave-shantazh” që po përpiqen të miratojnë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Lavrov deklaroi se, si pjesë e misionit ushtarak që do të dërgohet në vendin e përçarë nga lufta civile mund të marrin pjesë edhe Turqia apo vendet arabe.
Në të njëjtën intervistë, shefi i diplomacisë ruse akuzoi Britaninë dhe Francën, si vende të “verbuara” nga qëllimi i ndryshimit të regjimit politik në Siri.
Top Channel