Rama takon ish-presidentin Klinton

24/09/2013 00:00

Kryeministri Edi Rama ishte në hapjen e konferencës së organizuar nga Nisma Globale Klinton, që po mbahet në Nju Jork. Gjatë fjalës përshëndetëse, Presidenti Klinton e vuri theksin tek ato nisma që synojnë të rrisin pjesëmarrjen e gruas në politikë, që respektojnë të drejtat e njeriut, por edhe tek disa projekte që synojnë të promovojnë energjinë e rinovueshme dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në përfundim të sesionit të parë, Kryeministri Rama pati një takim të shkurtër me Presidentin Klinton dhe Kryeministrin e Kosovës Thaçi, gjatë të cilit Rama e falenderoi Presidentin Klinton për të gjithë mbështetjen dhe ndihmën që ai ka dhënë për shqiptarët gjatë presidencës së tij.

Takimi Rama-Thaçi

Më herët Rama dhe Thacci zhvilluan një takim në Nju Jork ku në qendër të bisedës ishte axhenda e integrimit në Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Kosovën përfshi edhe shtrirjen e njohjes së shtetit më të ri.

Gjithashtu, gjatë takimit u bisedua edhe për projekte të përbashkëta, me interes reciprok për të dy shtetet. Sic njofton zyra e shtypit në Kryeministri axhenda e takimeve të Kryeministrit Rama ka vijuar më pas me Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer me të cilin u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe.

Presidenti Fischer e siguroi Kryeministrin shqiptar mbi mbështetjen që Austria do i japë Shqipërisë në dhjetor për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Kryeministri Rama e siguroi Presidentin Fischer për klimën pozitive të biznesit në Shqipëri dhe ftoi sipërmarrësit austriakë të investojnë në vendin tonë.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork  Kryeministri Rama, zhvilloi edhe një takim me kongresmenin Eliot Engel, i cili e uroi për fitoren e thellë në zgjedhjet e 23 qershorit, si edhe për programin qeverisës që mori votëbesimin e parlamentit.

Top Channel