PD: Qeveria po spastron administratën

24/09/2013 00:00

Partia Demokratike deklaroi se qeveria pritet të ndërhyjë në ligjin për statusin e nëpunësit civil si paralajmërim për shkarkimet masive politike në administratë.

Deputeti Eduard Halimi tha se opozita nuk do ta tolerojë këtë gjë. Sipas tij, kjo përpjekje është kërcënim i hapur dhe brutal i bashkëpunimit politik dhe nëpërkëmbjes dhe zhvlerësim i konsensusit të arritur.

“Qeveria ka paralajmëruar ndërhyrje tek ligji për statusin e nëpunësit civil që hyn në fuqi më 1 tetor 2013 me qëllim shtyrjen e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ne nuk mund të pajtohemi dhe nuk mund të japim pëlqimin tonë për këtë cënim të rëndë të shtetit ligjor, të statusit të nëpunësit civil dhe të kompromisit politik. Ligji për statusin e nëpunësit civil është produkt i palëve, është një nga tre ligjet të cilët Rama e bllokoi integrimin për më shumë se 2 vjet dhe pengoi marrjen e statusit të vendit kandidat. Përpjekja e paralajmëruar sot dëshmon qartë se për të mundësuar spastrimin politik të administratës, Rama është gati të zerojë konsensusin e arritur dhe të kthejë konfliktin politik tashmë si qeveritar kundër opozitës. Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës, larg duart nga tre ligjet! Mos e nëpërkëmb konsensusin e arritur! Mos vazhdo rrugën e konfliktit politik! Opozita do t’i mbrojë me forcë arritjet e kompromisit dhe do t’i shërbejë deri në fund integrimit të vendit, shtetit ligjor dhe mirëqënies së qytetarëve shqiptarë”, tha deputeti Halimi.

Top Channel