Kuvendi i Kosovës pritet të themelojë një komision hetimor i cili do të merret me hetimin e procesit të privatizimit të 75% të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit nga shefat e grupeve parlamentare të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe lëvizjes Vetëvendosje, të cilët janë bashkuar kundër privatizimit të PTK-së.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ndërkaq tha se kryesia hoqi krejtësisht nga rendi i ditës votimin i cili do ta bënte të ligjshëm privatizimin e telekomit të Kosovës.

Sikurse kryetari i Kuvendit edhe opozita vlerëson se procesi i privatizimit të telekomit është i degraduar tashmë dhe ka hapësirë për hetim nga prokuroria.

Por ndryshe nga LDK-ja dhe Vetëvendosje, të cilat do të iniciojnë themelimin e komisionit hetimor, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka vendosur ende për këtë.

Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci vlerëson se procesi i privatizimit të PTK-së ka qenë transparent dhe iniciativat e opozitës i vlerëson si lojë para fushatës elektorale.

Kuvendi i Kosovës në dy seancat e fundit, në mungesë kuorumi e ka pasur të pamundur të votojë për privaitzimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Top Channel