Prokurori i çështjes “Kleçka” nuk dorëzohet edhe pse më 17 shtator, ish-luftëtari i UÇK–së Fatmir Limaj dhe 9 ish-bashkëluftëratët e tij u shpallën të  pafajshëm.

Sipas avokatit të tij Tomë Gashi, prokurori Mauricio Salustro nuk pajtohet me lirimin nga aktakuzat. Ai ka paralajmëruar ankesë dhe sipas gjasave çështja “Kleçka” do të shkojë në Gjykatën e Apelit.

Sipas avokatit Gashi, Salustro nuk po pajtohet me një fakt të pamohueshëm juridikisht dhe arsyet e pastra si kristali që ka dhënë gjykata javën e kaluar.

NJë javë më parë trupi gjykues i përbërë nga tre gjykatës, dy ndërkombëtarë dhe një vendas e shpalli të pafajshëm Limajn dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij. Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, në një deklaratë të shkurtër tha se gjykata vërtetoi ato që ka thënë ai në fillim të këtij procesi.

Menjëherë pas pafajësisë, Limaj i është rikthyer politikës duke dalë hapur kundër PDK-së së Hashim Thaçit. Ai i dha mbështetje të plotë Iniciativës Qytetare të Malishevës dhe kandidatit të saj për kryetar të kësaj komune, fraksion ky i krijuar nga të pakënaqurit e PDK-së së fundmi.

“Kam një mesazh për ata që drejtojnë institucionet, komuna, shkolla, administratë: shteti nuk është pronë private e askujt. Institucionet janë të qytetarëve dhe funksionojnë sipas rregullave ligjore”, tha Limaj para mbështetësve të tij në vendlindje, Malishevë.

Top Channel