“Kjo KLD nuk ka besueshmëri”

24/09/2013 00:00

Ilirian Celibashi, Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin  në intervistën e parë pas marrjes së kësaj detyre deklaron për Top-Channel se reformimi sistemit të drejtësisë është një prej sfidave më të vështira të kësaj shumice pasi  lidhet me një pushtet tjetër dhe jo me ekzekutivin.

Përveç vullnetit të qeverisë së re ministri Celibashi thotë se nuk mungojnë mekanizmat për të realizuar qëllimin që të paktën në fund të katër viteve të ardhshme Shqipëria të ketë një sistem drejtësie më të besueshëm.

“Qoftë edhe ndryshime të karakterit kushtetues mund të jenë nisma që mund të çojnë në këtë drejtim. Reforma ligjore që qëndrojnë në një konsolidim të sistemit të karrierës në gjyqësor apo në atë prokurorisë, reforma që konsistojnë në trajtim dhe një status më të mirë ekonomik, social dhe më gjërë të punonjësve të drejtësisë, besoj se janë elementet më thelbësore dhe kryesore që do të ndikojnë në një përmirësim të situatës në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Në kompleks mendoj se është koha për ta rikonsideruar të gjithë korpusin ligjor, pse jo edhe atë kushtetues që ka të bëjë me sistemin e drejtësisë”, tha zoti Celibashi.

Në të gjitha rastet kur njerëz të drejtësisë kanë shkuar para  gjykatës kanë dalë të pafajshëm. Përveç aleancës së heshtur mes njerëzve të drejtësisë, zoti Celibashi e shikon si pjesë komplekse të problematikës në këtë fushë.
“Brenda sistemit të drejtësisë shikojmë një organizim gati koorporatist të korpusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo është në kuadër të gjithë asaj problematike që ka sistemi i drejtësisë. Mungesa e efiçencës së sistemit të drejtësisë nuk konsiston vetëm në dënimin e gjyqtarëve apo prokurorëve, por në përgjithësi me të gjithë ata shkelësit e ligjit”, shtoi ministri.

I pyetur nëse ekziston ndonjë plan për përfshirjen në një të dy gjykatave, asaj Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, zoti Celibashi jep këtë përgjigje:

“Nuk mendojmë nëse ne bashkojmë Gjykatën Kushtetuese me Gjykatën e Lartë zgjidhim një problem të madh për sa i përket problematikës tërësore të sistemit të drejtësisë. Mund të jetë një ndër elementët pjesë të reformës, por jo domosdorshmërisht. Ajo çfarë ne duam të bëjmë në lidhje me reformat më së pari do të ketë si karakteristikë apo cilësi të saj bashkëpunimin me të gjitha grupet e interesit në mënyrë reale dhe domosdoshmërisht edhe me opozitën. Çështja e opozitës nuk është një çështje e një shumice politike, por është një çështje e cila lidhet, ndikon në mënyrë thelbësore në të gjitha aspektet e zhvillimit ekonomik, social e politik të vëndit”, u shpreh Celibashi.

Sipas ministrit Celibashi shumica e re qeverisëse nuk do të ketë asnjë hezitim në rishikimin e efikasitetit të insitucioneve të drejtësisë, përfshi Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

“Mendoj se sot institucioni i KLD-s nuk është një institucion që edhe brenda vetë komunitetit të gjyqtarëve ka atë kredibilitet si qeveri e gjyqësorit. Mendoj se disa gjëra që kanë të bëjnë me mënyrën e organizimit apo funksionimit, përfshi zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së mundet të rikonsiderohen. Shumë gjëra nuk funksionojnë, mekanizma që do të duhen të garantojnë funksionimin e sistemit të drejtësisë nuk kanë funksionuar. Atëherë logjikisht duhet të rikonsiderohen këto mekanizma këto institucione. Ky nuk është një qëllim në vetvete, por nevoja të çon atje”, thotë Ministri Celibashi.

Top Channel