Kenia, “Westgate” nën kontroll

24/09/2013 00:00

Forcat keniane të sigurisë deklarojnë se kanë marrë nën kontroll të gjitha katet e qendrës tregtare Westgate në Nairobi, e cila u sulmua për tre ditë me radhë nga militantët e Al Shabab.

Një shpërthim dhe disa të shtëna u dëgjuan të vinin nga kompleksi mëngjesin e së martës, teksa shtoheshin spekulimet se operacioni ishte drejt përfundimit.

Të paktën 62 persona janë vrarë dhe 170 të tjerë janë plagosur. Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Kenias deklaroi se “dy ose tre” amerikanë dhe një grua britanike ishin mes atentatorëve.

Në një intervistë për një program televiziv amerikan, Amina Mohamed deklaroi se amerikanët ishin 18 ose 19 vjeç, me origjinë somaleze apo arabe dhe jetonin në Minesota dhe në një vend tjetër. Ndërsa britanike ishte një grua, që sipas ministres, kishte kryer akte të dilla disa herë më parë.

Zonja Mohamed duket se kundërshtoi komentet e mëhershme të ministrit të Brendshëm, që tha se të gjithë atentatorët ishin burra, edhe pse disa prej tyre mund të ishin veshur si gra.

Korrespondenti i BBC në Nairobi thotë se komentet e zonjës Mohamed përputhen me spekulimet në media për përfshirjen e mundshme të Samantha Lewthwaite, e njohur si vejusha e një prej personave që kreu sulmet në metronë e Londrës më 7 korrik 2005.

Autoritetet britanike deklarojnë se nuk mund të flasin për identitetin e agresorëve për sa kohë hetimi vazhdon. Ndërkohë, Kryqi i Kuq Kenian ka deklaruar për BBC se 63 persona vazhdojnë të konsiderohen të humbur.

Nuk është ende e qartë se sa militantë ndodhen në kompleksin Westgate, por autoritetet keniane thonë se tre terroristë janë vrarë.

Lëvizja islamike somaleze Al Shabab mori përsipër autorësinë e sulmit duke deklaruar se e kreu atë si përgjigje ndaj operacioneve ushtarake keniane në Somali.

Ndërsa ministri i Brendshëm kenian Joseph Ole Lenku deklaroi për BBC vonë gjatë së hënës se operacioni do të vazhdonte gjatë natës, por theksoi se ai ishte në fazën finale të tij.

“Terroristët mund të vrapojnë dhe të fshihen në disa dyqane, por të gjitha katet e ndërtesës janë nën kontrollin tonë. Nuk kanë nga t’ia mbajnë”, deklaroi Lenku, që përjashtoi mundësinë e pengjeve të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA