Itali, sekuestrohet “thesari” i mafias

24/09/2013 00:00

Një thesar prej 700 milionë eurosh, në pasuri të tundshme dhe të patundshme, është sekuestruar mëngjesin e së martës në Itali nga organet e drejtësisë.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave pasuria i përkiste biznesmenit Giuseppe Grigoli, nga lokaliteti i Kastelvetranos, në Siçili.

Sipas burimeve, Grigoli konsiderohet nga hetuesit si përfaqësuesi i bosit të mafias Matteo Messina Denaro, i konsideruar si kreu i ri i Cosa Nostra-s.

Masa për konfiskimin e pasurive është urdhëruar nga gjykata lokale dhe përfshin 12 kompani, 220 pallate dhe vila, si dhe 133 terrene për një total prej 60 hektarësh.

Një “thesar” që sipas hetuesve është fryt i pasurive të akumuluara në rrugë të paligjshme dhe pastrimi parash të pista.

Biznesmeni Grigoli, i konsideruar si “mbreti i supermarketeve” për rolin e tij në distribucionin e produkteve ushqimore, ndodhet aktualisht në burg pasi është dënuar më parë nga gjykata me 12 vjet burg për pjesëmarrje në organizatë mafioze.

Në të njëjtin proçedim penal, bosi Matteo Messina Denaro është dënuar me 20 vjet burg, shtojnë më tej burimet mediatike.

Top Channel