Lufta në Lindjen e Mesme/ SHBA mbyll ambasadën në Arabinë Saudite dhe Kuvajt, zvogëlon praninë konsullore në disa vende të tjera të rajonit
Ministri i Jashtëm iranian do të takojë përfaqësuesit e gjashtë fuqive
të mëdha në Kombet e Bashkuara këtë javë, për të diskutuar programin
bërthamor të Teheranit.
Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarë amerikanë dhe evropianë, sipas të cilëve në takimin me ministrin iranian Mohammed Javad Zarif do të jetë i pranishëm edhe sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, duke shënuar kështu kontaktin e nivelit më të lartë SHBA-Iran në 30 vitet e fundit.
Bisedimet do të zhvillohen në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që po mbahet në Pallatin e Qelqtë në Nju Jork. Presidenti i ri i Iranit, Hassan Rouhani ka deklaruar se është i gatshëm të rifillojë bisedimet e bllokuara pa asnjë kusht.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton saktësoi se zoti Zarif, i cili është gjithashtu kryenegociatori i Iranit në bisedime, do të takohet këtë javë me ministrat e Jashtëm të pesë vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, SHBA, Britani, Francë, Rusi dhe Kinë, plus Gjermaninë që përbëjnë grupin e njohur si “5+1”.
“Ne patën bisedime të mira dhe konstruktive”, deklaroi një ditë më parë baronesha Ashton, që bisedoi me shefin e diplomacisë iraniane në selinë e Kombeve të Bashkuara.
Ajo tha gjithashtu se kishte mbetur e befasuar nga “energjia dhe vendosmëria” që kishte parë tek iranianët në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Zonja Ashton shtoi se ekipi i saj do të zhvillojë bisedime me zotin Zarif sërish në tetor, në Gjenevë, për të diskutuar për programin.
Ndërkohë, një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit paralajmëroi se: “askush nuk duhet të presë që një problem që zgjat prej dekadash të zgjidhet gjatë takimit “5+1” më vonë gjatë javës”. “Topi është përfundimisht në fushën e Iranit”, deklaroi zyrtari, i cituar nga agjencia e lajmeve “AFP”.
Ndërkohë, në një zhvillim tjetër, Teherani zyrtar deklaroi se ka falur 80 të burgosur, mes të cilëve një numër personash që u arrestuan pas zgjedhjeve të diskutueshme të vitit 2009.
Top Channel