Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se i takon
qeverisë serbe që të sqarojë vrasjen e javës së kaluar të oficerit të
Bashkimit Evropian në veri të Kosovës.

Në një intervistë për gazetën prestigjioze amerikane “The Wall Street Journal”, ministri Hoxhaj ka thënë se vetëm Beogradi mund të zbardhë plotësisht këtë ngjarje.

Hoxhaj ka thënë se, megjithëse nuk ekzistojnë prova të drejtpërdrejta që e lidhin Beogradin me vrasjen e doganierit 35-vjeçar nga Lituania, kontrolli efektiv disavjeçar i Beogradit në veriun e Kosovës nënkupton se autoritetet serbe duhet të sqarojnë gjithçka që dinë rreth grupeve apo individëve në atë rajon.

“Serbia e ka informacionin e saktë rreth njerëzve dhe strukturave të krimit të organizuar në veri, si dhe rreth motiveve që çuan ata njerëz ta bënin këtë”, ka thënë Hoxhaj. Ai po ashtu ka theksuar se sulmi duket se ka qenë i “planifikuar me kujdes” dhe është kryer nga nacionalistët ekstremistë serbë të veriut.

Më tej, ministri i Jashtëm i Kosovës citohet të ketë thënë se vrasja e së enjtes nuk do ta ndërpresë procesin diplomatik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Mendoj se Serbia duhet të shfrytëzojë rastin që të jetë më e përkushtuar për të implementuar marrëveshjen në veri”, ka thënë Hoxhaj.

“Është koha që të çmontohen plotësisht strukturat ilegale të policisë dhe sigurisë serbe në veri, të luftohet krimi i organizuar, të arrestohen autorët e krimeve dhe të krijohet një ambient i përshtatshëm në atë pjesë të Kosovës”, ka shtuar ai.

Top Channel