
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili ndodhet në Nju Jork si pjesë e delegacionit të ekzekutivit shqiptar në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, u takua me zv.kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm grek, Jorgos Venizellos.
Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme thuhet se Bushati dhe Venizellos kanë diskutuar mbi rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian. Dy ministrat kanë diskutuar edhe për gazsjellësin TAP duke vlerësuar se ndërtimin e tij si përforcim të rolit strategjik të rajonit.
Njoftohet se Venizelos i ka konfirmuar Ministrit Bushati vizitën e tij zyrtare në Tiranë më 14 tetor.
Më herët gjatë ditës një takim me zv.kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm grek pati edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Gjatë takimit kryeministri Thaçi i ka kërkuar kryediplomatit grek njohjen e Kosovës, ndërsa është diskutuar edhe për forcimin e lidhjeve ekonomike.
Ndërkohë që edhe ministri Bushati ka patur një axhendë të ngjeshur. Ai është takuar me Ministren e Punëve të Jashtme të Italisë znj. Emma Bonino. Në këtë takim u fol për vizitën e znj. Bonino në Tiranë gjatë muajt tetor, si vizitë e një homologeje nga një vend mik, i veçantë dhe i rëndësishem i Shqipërisë.
Znj. Bonino shprehu mbështetjen e Italisë në rrugën e Shqipërisë në BE, mbështetje tradicionale e cila mbetet e palëkundur nga fqinji dhe partneri ynë strategjik.
Mes takimeve të tjera të Bushatit ishte edhe takimi me Ministrin e Jashtëm malazez, Igor Luksic dhe atë të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed Al Nahayan.
Top Channel