Lëvizja Vetëvendosje kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të refuzojë të gjitha aplikacionet nga Serbia që janë dorëzuar pas datës 17 shtator, pasi ka qenë data e fundit.

Po kështu, sipas VV-së, OSBE-ja ka filluar grumbullimin dhe regjistrimin e aplikacioneve pa marrëveshje me KQZ-në, duke shtyrë afatin që duhet të përfundonte të martën, gjë që përbën shkelje ligjore.

Anëtari i KQZ nga VV, Adnan Rrustemi në një konferencë për media ka thënë se pas datës 17 shtator janë dorëzuar rreth 40 mijë aplikacione nga Serbia, ndërsa vetëm 1 mijë e 500 nga diaspora.

“Unë ftoj KQZ-në që t’i refuzojë komplet aplikacionet, pa i futur në proçedim dhe vlerësim, sepse përveç që kanë ardhur në një proces të kriminalizuar dhe të manipuluar, ato kanë ardhur edhe pas afatit të shtyrë për të dytën herë deri tani. Në anën tjetër, aplikacionet kanë ardhur edhe në mbrëmjen e djeshme por pritet që edhe sot të sillet një numër i tyre. Në njërën anë OSBE-ja ka filluar këtë operacion zgjedhor pa marrëveshje me KQZ-në edhe përkundër refuzimit të KQZ-së, ndërsa KQZ-ja në heshtje po i pranon këto aplikacione dhe është përfshirë në shkelje të ligjit dhe rregullave. Të dyja palët janë të përfshira, por KQZ-ja tani po e bën edhe formalisht dhe nuk po mblidhet që të marrë vendimin”, ka deklaruar Rrustemi.

Madje, Rrustemi akuzon edhe anëtarët e PDK-së dhe LDK-së në KQZ, se bashkë me kryetaren Valdete Daka po i bëjnë presion kryeshefit të sekretariatit të KQZ-së që t’i pranojnë aplikacionet dhe t’i proçedojnë.

Por kryetarja Daka thotë se bëhët fjale për vonesa që kanë të bëjnë kryesisht me probleme teknike. Ndërkohë, kur flet për OSBE-në Daka thotë se e ka pasur rolin vetëm të postierit, por që së shpejti do të arrijnë marrëveshje me ta për të tjera çështje. Sa i përket afatit kohor, Daka thekson se nuk do të ketë ndryshime në data sepse sipas saj, po punoohet në tri turne.

“Unë nuk jam duke i bërë presion askujt, e vërtetë është se KQZ-ja as ka miratuar e as ka refuzuar, por e ka kthyer shkresën e OSBE-së në përmirësim konform ligjit. Ne kemi një marrëveshje, Serbia me Kosovën, ku OSBE-ja e ka një rol që ne nuk mund ta mohojmë, që ky është roli i fascilituesit. Natyrisht që nga kjo marrëveshje ka pasur konkluzione në mesin e tyre edhe që OSBE-ja do t’i bartë fizikishtë aplikacionet që do të grumbullohen në një qendër grumbulluese në Nish përmes postës, që të përmbushet edhe kjo pikë. OSBE-ja fizikisht i ka bartur nga Serbia dhe i ka dorëzuar në Postë, asgjë tjetër. KQZ-ja do t’i verifikojë të gjitha”, ka thënë Daka.

Më tej Daka sqaron se OSBE-ja ka marrëveshje ndërshtetërore, por jo me KQZ-në. Daka thotë se çdo aplikacion po verifikohet dhe nëse nuk plotësojnë kushtet ligjore në asnjë mënyrë nuk do të ketë lëshime. Ndërkohë, përfaqësuesi i VV brenda KQZ-së këmbngul se procesi zgjedhor është në një situatë kritike, gjë të cilën Daka vazhdon ta mohojë.

Siguria e zgjedhjeve të 3 nëntorit
KQZ, seminar me policinë dhe OSBE-në

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti të hënën një takim të përbashkët me përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe të OSBE-së, me temë ‘Programin Orientues për Policinë në Zgjedhjet Lokale 2013”.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se roli i sigurisë është i një rëndësie të veçantë gjatë procesit të zgjedhjeve dhe se po punohet në mënyrë që të arrihen objektivat e përbashkët të të gjithë faktorëve.

Shpend Maxhuni, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, shprehu gatishmërinë e këtij institucioni për bashkëpunim, duke theksuar se policia tashmë ka krijuar përvojë shumë të mirë në menaxhimin e proceseve të tilla.

Ndërsa Bujar Basha, nëndrejtor i Departamentit të Zgjedhjeve në OSBE, tha se sipas ligjit mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe standarteve ndërkombëtare, OSBE do të lehtësojë procesin e zgjedhjeve në 4 komuna të veriut të Kosovës. 

Top Channel