Gjatë qëndrimit në Nju Jork, kryeministri Edi Rama u takua me presidentin e Bankës Botërore, Jim Yong Kim.

Në këtë takim, ku u diskutuan sfidat dhe prioritetet e qeverisë së re ishte edhe ish-kryeministri britanik Tony Blair.

Pas këtij takimi, kryeministri Rama u shpreh se shumë shpejt do të ngrihet një strukturë e posaçme për prioritetet e qeverisë shqiptare.

“Është shumë domethënëse që presidenti i Bankës Botërore është drejtëpërsëdrejti i interesuar për të mbështetur Shqipërinë falë programit dhe axhendës së qeverisë sonë e së bashku me kryeministrin Blair, do të vëmë në jetë shumë shpejt një strukturë të posaçme të arritjes së rezultatit dhe të kalimit të çdo pjese programi në procesin e realizimit e përkthimit në rezultat. Ky është një mom i rëndësishëm për Bankën Botërore që me një grup liderash rreth e rrotull në planet po përpiqet të fusë këtë përvojë të re, që do të jetë edhe ajo e qeverisë sonë”, deklaroi kryeministri Rama.

Edhe ish-kryeministri Blair, që do të keshilloje Ramën, e cilësoi të shkelqyer takimin dhe tha se qeverinë e presin sfida të mëdha.

“Patëm një takim të shkëlqyer me zotin Rama dhe Bankën Botërore për të parë se si mund të ndihmojmë qeverinë e re shqiptare që të sjellë atë ndryshim për të cilin të gjithë shqiptarët shpresojnë. Vendin e presin sfida të mëdha, shumë punë dhe kryeministri ka një program energjik e të vendosur që jep shumë shpresë. Mendoj se ardhja e Bankës Botërore na jep shpresë se po punojmë në rrugën e duhur dhe ky takim ishte shumë konstruktiv, i shkëlqyer dhe shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit”, deklaroi zoti Blair.

Top Channel