Fatmir Limaj vulos përçarjen e Partisë Demokratike të Kosovës duke i dhënë kështu një drejtim tjetër angazhimit të tij politik në skenën kosovare.

Ai i dha mbështetje të plotë Iniciativës Qytetare të Malisheves dhe kandidatit të saj për kryetar të kësaj komune, fraksion ky i krijuar nga të pakënaqurit e PDK-së së fundmi.

Pak ditë pas vendimit që e çliroi nga akuzat për krime lufte, Limaj u gjend në një tubim madhështor në vendin e tij të lindjes në Malishevë.

“Kam një mesazh për ata që drejtojnë institucionet, komuna, shkolla, administratë: shteti nuk është pronë private e askujt. Institucionet janë të qytetarëve dhe funksionojnë sipas rregullave ligjore.

Jemi në kohën kur së shpejti do të mbahen zgjedhjet lokale dhe ky është momenti kur populli merr vendime se kë do të votojë. Para se të shkoni tek kutitë e votimeve, të nderuar bashkëqytetarë, kthehuni mbrapa dhe vlerësoni punën e atyre që kanë punuar deri tani dhe analizoni mirë ata të cilët pretendojnë të vijnë.

Dita e votimit është dita kur ju mund t’i dënoni të gjithë ata që nuk kanë pasur sjellje demokratike, apo qeverisjen që ju keni pritur. Ju keni rastin që t’i largoni ata dhe të sillni njerëz të rinj në qeverisje.

Vetëm tek kutitë e votimit populli ka rastin që t’iu tregojë vendin të gjithë atyre që shteti i ka bërë arrogantë e iu ka mbyllur sytë. Populli atë ditë do t’iu tregojë atyre se vetëm ai është sovrani në kutitë e votimit dhe ai vendos”, deklaroi Limaj.

Ai shtoi se ka vendosur ta mbështesë Iniciativën Qytetare të Malishevës, duke bërë thirrje që Malisheva të votojë për këtë grupim dhe kandidatin e saj, Ragim Begaj.

Përveç Malishevës, një iniciativë qytetare e dalë nga PDK-ja është krijuar edhe në Drenas. Bashkë me Limajn duket se është edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

I pyetur nga gazetarët të hënën, Krasniqi nuk e mohoi se do t’i bashkangjitet iniciativave të krijuara, por as nuk tha se vazhdon të jetë pjesë e PDK-së.

Top Channel