Kenia, vazhdon pengmarrja

23/09/2013 00:00

Në Kenia vazhdon pengmarrja në një qendër tregtare të Nairobit, ku militantë ta armatosur somalezë kanë nisur që të shtunën një akt terrorist duke vrarë 68 persona e duke plagosur 170 të tjerë.

Mendohet se brenda qendrës tregtare Westgate ndodhen 10-15 pjesëtarë të al-Shababit dhe beteja mes tyre e forcave të rendit po vazhdon në ditën e tretë të saj.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes në Kenia, Col Cyrus Oguna, theksoi se në qendrën tregtare kanë mbetur shumë pak pengje sepse shumica janë shpëtuar, por shtoi se sa më shumë trupat hyjnë në godinë, aq më shumë mundësi ka që të ndeshin në viktima të tjera.

Ndërsa presidenti i vendit, Uhuru Kenyatta, deklaroi në një konferencë shtypi të dielën se kombi afrikan do të dalë më i fortë nga kjo tragjedi.

“Kriminelët janë bllokuar brenda në qendrën tregtare. Profesionistët që gjenden në vendngjarje do i neutralizojnë keqbërësit me siguri”, deklaroi Kenyatta.

Mes viktimave është konfirmuar se ka francezë, hollandezë, afrikano-jugorë, indianë, kanadezë dhe kinezë. Al-Shabab ka bërë të ditur se ka ndërmarrë këtë akt terrorist në kundërpërgjigje të operacioneve ushtarake keniane në Somali, ku ndodhen rreth 4000 trupa të cilët luftojnë militantët.

Top Channel