Kenia, blici në fazën finale

23/09/2013 00:00

Beteja në qendrën tregtare të Nairobit vazhdon. Sulmi i forcave speciale ndaj grupit të armatosur që të shtunën mori nën kontroll qendrën tregtare Westgate vijon të jetë në fazën finale të tij.

Në orët e fundit është konfirmuar edhe bilanci i viktimave nga Kryqi i Kuq dhe Ministria e Brendshme keniane. Personat e vrarë janë 62. Ndërkohë, nga radhët e terroristëve llogariten 2 humbje.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, pengjet janë pothuajse të gjithë të lirë, por britanikja “The Guardian” e përgënjeshtron lajmin. Të huajt e mbetur peng janë 13, ndërsa 63 persona të tjerë konsiderohen të humbur.

Disa herë, me kalimin e orëve, rreth kompleksit janë dëgjuar breshëri armësh automatike dhe shpërthime, tre prej të cilave kanë qenë shumë të fuqishme dhe kanë ngritur një re të madhe tymi të zi.

Burime të rezervuara nga forcat e sigurisë kanë deklaruar për mediat ndërkombëtare se përmes një shpërthimi është hapur një vrimë në çatinë e ndërtesës, për të hyrë brenda nga lartë.

Ministri i Brendshëm kenian, Joseph Ole Lenku nuk e ka konfirmuar këtë të dhënë, por ka bërë të ditur se dy militantë të tjerë janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur gjatë ofensivës së re të forcave speciale.

Po sipas ministrit, pengjet e mbetura në duart e terroristëve janë vendosur në një nga supermarketet e strukturës dhe janë të gjithë burra, ndonëse disa mbajnë veshur rroba grash.

Të mbijetuarit kanë treguar se sulmi në stil ushtarak në qendrën tregtare, që nisi të shtunën nga skuadra të armatosura me granata dhe armë automatike, la pak dyshime se qëllimi i pengmarrësve ishte masakra.

Ndërkohë, nga Somalia, vendi fqinj i Kenias në kufirin veri-lindor, lëvizja Al Shabab i ka bërë thirrje presidentit keniot Uhuru Kenyatta që të tërheqë ushtrinë e tij nga Somalia, e cila ka detyruar militantët të tërhiqen nga disa zona.

Kenyatta, që gjatë sulmit në Westgate ka humbur nipin e tij, e ka refuzuar një kërkesë të tillë duke garantuar vazhdimin e angazhimit në luftën kundër terrorizmit në Somali.

Top Channel