Në Gjermani ka nisur votimi për zgjedhjet parlamentare dhe kancelarja Angela Merkel shpreson për një mandat të tretë në krye të vendit europian më të fuqishëm ekonomikisht.
Sondazhet kanë treguar se partia e saj (Partia Kristian Demokrate) është favorite për të marrë numrin më të madh të vendeve në Bundestag, siç emërtohet Parlamenti gjerman. Por, duket se aleatët e Merkelit, Demokratët e Lirë, nuk do të marrin 5% të votave e rrjedhimisht nuk do të kenë asnjë vend në Parlament.
Për këtë arsye, kancelarja gjermane do të duhet të mendojë koalicionin me rivalin e saj kryesor, Peer Steinbrueck të Social Demokratëve.
Votimi është hapur në orën 8:00 dhe do të mbyllet në orën 16:00. Zakonisht, zgjedhjet në Gjermani pasohen nga disa javë bisedimesh për krijimin e koalicioneve përpara se të marrë formë qeveria e re.
Të shtunën, në fjalimin përmbyllës të fushatës në Berlin, Merkel tha: “I kërkoj gjermanëve të më japin një mandat të fortë në mënyrë që të vazhdoj t’i shërbej Gjermanisë edhe për 4 vite të tjera dhe ta bëj një shtet më të fortë, një shtet shumë të respektuar në Europë, një shtet që mbron interesat e tij dhe që njëkohësisht është mik me shumë shtete të tjera.”
Top Channel